Ligatura Varice Ezofagu

Variçet ezofageale janë zgjerim jo normal i venave në pjesën e poshtme të ezofagut (tubi që lidh fytin me stomakun). Variçet ezofageale ndodhin më shpesh tek personat që kanë sëmundje serioze të mëlçisë. Ato zhvillohen kur ngadalësohet qarkullimi normal i gjakut në mëlçi. Në këtë moment gjaku kthehet mbrapsht në enët e vogla të afërta, siç janë ato të ezofagut duke shkaktuar fryrje të tyre.

Ndonjëherë variçet ezofageale mund të çahen duke shkaktuar hemorragji kërcënuese për jetën.
Zakonisht, variçet ezofageale nuk kanë shenja dhe simptoma nëse ato nuk gjakosin.

Shenjat dhe simptomat e variceve që gjakosin janë:

• Hematemesis ( të vjella me gjak);
• Melena (fece të ngjyrosura, të zeza);
• Shok në raste të rënda;
• Dhimbje barku;
• Disfagi dhe odinofagi (dhimbje dhe vështirësi në gëlltitje);
• Gjendje konfuzioni deri në koma;
• Zbehje lëkure;
• Hipotension dhe takikardi (dmth gjendje shoku);
• Prodhim i ulët i urines.

Shkaqet

Venat e zgjeruara të variçeve ezofageale formohen kur qarkullimi i gjakut në mëlçi ngadalësohet.
Shpesh, ngadalësimi i qarkullimit të gjakut ndodh për shkak të indeve fibrotike që krijohen prej sëmundjeve të mëlçisë. Kjo situatë çon në kthimin e gjakut mbrapsht duke rritur presionin e venës porta (venë e madhe që çon gjakun në mëlçi). Ky presion sforcon enët e vogla të afërta të gjakut siç janë ato të ezofagut. Këto enë të vogla, të dobëta, fillojnë të fryhen prej gjakut të tepërt.
Ndonjëherë venat fryhen aq shumë sa mund të çahen dhe të shkaktojnë hemorragji.

Call Now Button